Unitedi e ndalë Arsenalin, merr tri pikë të arta në “Emirates”

Manchester Unitedi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim tek Arsenali, raporton Spektatori.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Emirates”, në kuadër të xhiros së 23-të të Premierligës, Manchester Unitedi ka arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme, duke u rikthyer në top katërshe të kampionatit anglez.

Unitedi fitoi me rezultat 3-2, ndonëse të parët në epërsi kaluan vendasit, pas një autogoli të Lisandro Martinezit në minutën e 29-të të ndeshjes. Reagimi i mysafirëve erdhi në minutën e 37-të, kur Bryan Mbeumo shënoi për barazimin 1-1, pas një gabimi të Martin Zubimendit.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit. Në pjesën e dytë, pas vetëm gjashtë minutash lojë, Patrick Dorgu realizoi një supergol për epërsinë e Manchester Unitedit në Londër.

Arsenali arriti të barazojë në minutën e 84-të, kur zëvendësuesi Mikel Merino shënoi për 2-2, pas një tollovie në mbrojtjen e Unitedit pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, Matheus Cunha realizoi një tjetër supergol, duke mposhtur portierin David Raya për herë të tretë në këtë ndeshje dhe duke i siguruar Manchester Unitedit tri pikë të arta.

Me këtë fitore, Manchester Unitedi shkon në kuotën e 38 pikëve dhe renditet në vendin e katërt në tabelë, ndërsa Arsenali mbetet me 50 pikë, tashmë vetëm katër pikë më shumë se Manchester City në vendin e dytë dhe Aston Villa në vendin e tretë.

Lexo edhe:

Back to top button