
Një incident i rëndë është regjistruar në zonën turistike të malit Huaying në Guang’an të Kinës, ku një turist humbi ekuilibrin dhe ra nga një shkëmb ndërsa mbante telefonin në dorë, raporton ‘Daily Mail’, transmeton Spektatori.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur shkëmbi nën këmbët e tij shembet, duke e rrëzuar alpinistin nga një lartësi rreth 40 metra. Ai është rrokullisur edhe 15 metra të tjerë poshtë shpatit, por fatmirësisht ka arritur t’i mbijetojë ngjarjes.
Burri ka reaguar më vonë në rrjetet sociale, duke konfirmuar se është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Perënditë e malit më bekuan. Mendova se do të vdisja kur shkëmbinjtë u shembën. Është kaq mirë të jesh gjallë”, ka deklaruar ai.



