Trumpi thotë se ShBA-ja ka konfiskuar një anije të madhe të naftës afër bregdetit të Venezuelës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi se vendi i tij ka marrë nën kontroll një anije të naftës afër bregdetit të Venezuelës.

“Siç ndoshta e dini, ne sapo konfiskuam një anije transportuese në bregdetin e Venezuelës. Anije transportuese e madhe, shumë e madhe, më e madhja ndonjëherë e konfiskuar, në të vërtetë” – tha presidenti amerikan, raporton televizioni CNN.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ofroi ndonjë shpjegim të menjëhershëm për këtë veprim, i cili me gjasë do t’i përshkallëzojë më tej tensionet me vendin e Amerikës Jugore.

Konfiskimi u drejtua nga Roja Bregdetare e ShBA-së dhe u mbështet nga Marina, sipas një zyrtari amerikan, i cili nuk ishte i autorizuar që të komentonte publikisht dhe foli në kushte anonimiteti.

Një ditë më parë, ushtria amerikane dërgoi aeroplanë luftarakë mbi Gjirin e Venezuelës në atë që dukej se ishte afrimi më i madh i aeroplanëve luftarakë ndaj hapësirës ajrore të këtij shteti që nga fillimi i fushatës amerikane të presionit ndaj Karakasit.

Trumpi kohë më parë ka thënë se sulmet tokësore do të pasonin së shpejti, por nuk ka dhënë ndonjë hollësi për lokacionin e tyre.

Lexo edhe:

Back to top button