
### **Flick kërkon dominim ndaj Realit në finale**
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dërguar një mesazh të qartë për lojtarët e tij para finales së Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, duke kërkuar që skuadra të përsërisë paraqitjen dominuese nga gjysmëfinalja ndaj Athletic Bilbaos, raporton Spektatori.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes që zhvillohet në Jeddah, Flick theksoi se një finale Clasico sjell gjithmonë motivim të veçantë, por vëmendja e tij mbetet e përqendruar te ekipi i Barcelonës.
“Nesër dua të shoh versionin e ekipit që pamë kundër Athletic Bilbaos. Një finale kundër Real Madrid gjithmonë ngre motivimin”, u shpreh trajneri gjerman.
Ai shtoi se një Clasico është gjithmonë një ndeshje e veçantë, por thelbi mbetet te loja e Barcelonës. “Ne do të përpiqemi të japim më të mirën për të fituar. Bëhet fjalë për mënyrën se si luajmë dhe si e fillojmë ndeshjen. Është një finale”.
Flick nuk kurseu vlerësimet për kundërshtarin, duke theksuar cilësinë e lartë të Real Madridit. “Ata kanë lojtarë të shkëlqyer dhe cilësi jashtëzakonisht të lartë. Por fokusi im është tek ekipi im, sepse ajo që ka rëndësi është si do të luajmë ne”.
Trajneri gjerman theksoi edhe rëndësinë e fitimit të një trofeu: “Ne duam të fitojmë një titull dhe kundërshtari është Real Madrid. Nuk ka motivim më të madh se kaq”.
Duke folur për Kylian Mbappen, Flick e cilësoi atë si sulmuesin më të mirë në botë aktualisht, duke shtuar se Barcelona do të përshtatet në aspektin taktik. “Por nuk bëhet fjalë vetëm për Mbappen, bëhet fjalë për të gjithë Real Madridin. Ne jemi të fokusuar në qasjen dhe stilin tonë të lojës”.



