
Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica, raporton Spektatori.
Sipas njoftimit zyrtar, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Për shkak të rrezikut nga përmbytjet, disa familje janë detyruar të evakuohen, ndërkohë që në zona të caktuara është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike.
“Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te ‘Trafoja’, është bllokuar, po ashtu edhe rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të Vjetër dhe disa lagje të komunës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë, të mos kalojnë në rrugë të përmbytura dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përkatëse. Ekipet emergjente komunale janë në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa ndërhyrjet po bëhen sipas nevojës për të minimizuar dëmet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.



