Shefi i ushtrisë britanike bën thirrje për mobilizim kombëtar përballë kërcënimit rus

E gjithë Mbretëria e Bashkuar, dhe jo vetëm forcat e saj të armatosura, duhet të përfshihet në përpjekjet për të parandaluar kërcënimin që Rusia paraqet për një luftë më të gjerë në Evropë, ka deklaruar shefi i ushtrisë britanike, raporton Spektatori.

Në një thirrje të pazakontë kombëtare për veprim, e krahasueshme me periudhën e kulmit të Luftës së Ftohtë, Shefi i Forcave Ajrore, marshal Sir Richard Knighton, pritet të mbajë të hënën mbrëma një fjalim, përmes të cilit do t’i bëjë thirrje publikut britanik që mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë t’i trajtojë si “një përparësi më të lartë”.

Në fragmentet e fjalimit të publikuara paraprakisht nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se lufta e Rusisë në Ukrainë dëshmon gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për të synuar shtetet fqinje, duke përbërë kështu një kërcënim për të gjithë NATO-n, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Udhëheqja ruse e ka bërë të qartë se dëshiron të sfidojë, kufizojë, përçajë dhe, në fund, të shkatërrojë NATO-n”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, në pjesët e publikuara të fjalimit nuk përmendet ndonjë nismë konkrete nga qeveria e kryeministrit Sir Keir Starmer për përshpejtimin e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga oficerë të lartë ushtarakë se rritja aktuale e buxhetit po ndodh shumë ngadalë.

Në një paralajmërim të ngjashëm, kreu i ri i MI6, Blaise Metreweli, pritet të mbajë po ashtu një fjalim të hënën, ku do të theksojë se “vija e frontit është kudo” në një “epokë të re pasigurie”. Ajo do të paralajmërojë se “eksporti i kaosit është një tipar thelbësor i qasjes ruse ndaj angazhimit ndërkombëtar”.

“Ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të vazhdojë derisa Putini të detyrohet të ndryshojë llogaritjet e tij”, do të deklarojë Metreweli, në komentet e saj të para publike që kur u emërua si shefja e parë femër e Shërbimit të Inteligjencës Sekrete në tetor.

Shefat e mbrojtjes dhe sigurisë në vendet anëtare të NATO-s kanë rritur paralajmërimet për rrezikun që lufta në Ukrainë të shndërrohet në një konflikt më të gjerë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi javën e kaluar se Evropa duhet të përgatitet për një përballje me Rusinë, të ngjashme me sfidat që përjetuan gjeneratat e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Ndërkohë, ministri britanik i Forcave të Armatosura, Al Carns, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar po zhvillon me shpejtësi plane për përgatitjen e vendit për një shpërthim të mundshëm lufte.

Sky News kishte raportuar më herët se Britania nuk ka aktualisht një plan kombëtar për mbrojtjen dhe mobilizimin e popullsisë, ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, kur ekzistonte një plan i detajuar për kalimin nga paqja në luftë, që përfshinte jo vetëm ushtrinë, por edhe shërbimet emergjente, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile.

Komentet e pritshme të marshal Knighton, që do të mbahen në një ligjëratë vjetore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shihen si një sinjal për përpjekjet e qeverisë për të rritur gatishmërinë kombëtare përballë kërcënimeve në rritje. Megjithatë, burime ushtarake kanë paralajmëruar se plani për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 3.5 për qind të PBB-së brenda 10 vjetësh është tepër i ngadaltë.

“Sfida me të cilën përballemi sot është më e rrezikshme se kurrë gjatë karrierës sime. Përgjigjja kërkon më shumë sesa forcimin e ushtrisë. Kërkon forcimin e të gjithë kombit, nga universitetet dhe industria, te infrastruktura dhe shërbimet shëndetësore. Kjo është një epokë e re e mbrojtjes dhe kërkon një mentalitet ‘të gjithë së bashku’”, thuhet në deklaratën që pritet të lexojë marshal Knighton.

Lexo edhe:

Back to top button