Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca pret nga autoritetet e Serbisë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë dhe dhunën ndaj trupave të KFOR-it gjatë tensioneve në veri të Kosovës në pranverën e vitit 2023.

Duke folur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Rutte tha se, pavarësisht marrëdhënies personale me Vuçiqin, NATO-ja pret zbardhje të plotë dhe drejtësi për të dyja rastet, për të cilat, sipas tij, ka pasur premtime nga Beogradi.

Ai riafirmoi mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe theksoi se aleanca mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë krijimin e vakumeve të sigurisë, përfshirë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Rutte rikujtoi se incidenti më i rëndë ndodhi në shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e mori biznesmeni dhe politikani serb Millan Radoiçiq, i cili ndodhet në Serbi dhe ende nuk është ndjekur penalisht.

Ai po ashtu përmendi dhunën e majit 2023 në Zveçan, ku mbi 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues serbë, duke theksuar se NATO-ja insiston që përgjegjësit për të gjitha këto ngjarje të përballen me drejtësinë.

Lexo edhe:

Back to top button