
FIFA ka prezantuar një nga ndryshimet më të mëdha të këtij edicioni: një pushim të detyrueshëm hidratimi, i cili do të zhvillohet në minutën e 22-të të çdo pjesëloje dhe do të zgjasë saktësisht tre minuta.
Rregulli është universal dhe zbatohet në çdo ndeshje, pavarësisht temperaturës, stadiumit apo kushteve atmosferike, transmeton Spektatori.
“Gjyqtarët do ta ndalojnë lojën pas 22 minutash që lojtarët të mund të pinë ujë,” ka njoftuar FIFA. Drejtori i Turneut, Manolo Zubiria, shtoi se pauza do të jetë standarde dhe e pandryshueshme në të gjitha ndeshjet, ndërsa përjashtim bëhet vetëm nëse loja është ndalur për lëndim në minutën 20 ose 21.
Ky është edicioni i parë i Kupës së Botës ku pushimi i hidratimit standardizohet plotësisht, duke siguruar kushte të barabarta për të gjitha 48 skuadrat pjesëmarrëse.
Tri ceremoni hapëse – një për secilin vend pritës
Botërori 2026, i pari me tre shtete organizatore (Meksikë, Kanada dhe SHBA), do të nisë me tri ceremoni zyrtare hapëse, një risi absolute në historinë e FIFA-s:
11 qershor, Mexico City – Para ndeshjes Meksikë vs. Afrika e Jugut
12 qershor, Toronto – Para ndeshjes së Kanadasë kundër fituesit të plejofit europian
12 qershor, Los Angeles – Para sfidës SHBA vs. Paraguai
Ky format thekson natyrën kontinentale dhe përmasat rekord të këtij edicioni.
Risia tjetër vjen për finalen e planifikuar më 19 korrik në stadiumin New York–New Jersey: në pushimin e pjesës do të mbahet një shfaqje zyrtare, e ngjashme me performancat e famshme të Super Bowl-it të NFL. Kjo do të jetë hera e parë që një Kupë Bote përfshin një show të tillë brenda finales.
Përveç kësaj, FIFA do të zhvillojë edhe ceremoninë tradicionale të mbylljes, duke kombinuar sportin me argëtimin në edicionin që pritet të thyejë rekordet e shikueshmërisë dhe të vizitueshmërisë.



