
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me një gazetare serbe pas përurimit të urës për këmbësor mbi lumin Ibër.
Gazetarja fillimisht iu ankua se ka ardhur pa përkthyes teksa i tha se sa herë vjen në veri, ai bën revy mode në shesh dhe se viziton vetëm lokalet e shqiptarëve.
“Ju keni ardhur këtu pa përkthyes, ne nuk e dimë çka po thoni, ju kur vini në veri bëni revy mode në shesh, vizitoni lokalet e shqiptareve, por a keni takuar ndonjëherë serbë lokalë, për të cilët thoni se i keni çliruar nga strukturat kriminale të Serbisë”, e ka pyetur gazetarja Kurtin.
Kurti ia ktheu se është mirë që edhe ajo ndonjëherë të bëjë pyetje në gjuhën shqipe.
“Kjo ishte një pyetje shume e gjate dhe ju e shihni se unë shpesh përgjigjem në serbisht, dhe nuk do të ishte keq që edhe ju të bëni pyetje në shqip ndonjëherë. Duhet të jemi të barabartë. Unë flas serbisht, pse edhe ju të mos flisni shqip? Më besoni, kurrë nuk është vonë të mësoni një gjuhë tjetër. Besoj se ne si qenie njerëzore nuk jemi të bërë për të folur vetëm një gjuhë. Ja ju e shihni se unë flas në gjuhën tuaj amëtare, dhe do t’ju përgjigjem në serbisht”, i është përgjigjur Kurti.
Ai ka insistuar se ka takuar edhe pjesëtarë të komunitetit serb, teksa ka thënë se nuk i bën publike takimet.
“Kjo urë nuk ka përkatësi etnike. Kjo urë lidhë pjesën jugore me atë veriore të të njëjtit qytet. Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit. Që të ketë sa më shumë tregti, kulturë bashkëpuniim, arsim në sport etj. Kjo urë nuk është kundër askujt. Kjo urë është për të gjithë. Është urë për këmbësorë vetëm, dhe jo për vetura, vetëm për njerëz që ecin këmbë nga njëra anë e qytetit në tjetrën. Është për t’ju ndihmuar. Unë jam takuar me shumë serbë, edhe në pjesën veriore, por edhe në shumë pjesë tjera. Nuk ka asnjë kryeministër të Republikës së Kosovës që është takuar me më shumë serbë se sa unë. Nuk ka asnjë kryeministër që ka folur më shumë serbisht. Ka shumë serbë që takoj, por nuk duan që kjo të bëhet publike, sepse i kontakton BIA nga Beogradi menjëherë. I thonë pse po flet me kryeministrin e Kosovës?”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka thënë se regjimi i Aleksandar Vuçiqit i kërcënon serbët në Kosovë.
“Problemi nuk është te unë, por tek regjimi autoritar në Beograd që i kërcënon serbët në Kosovë, që janë bashkëqytetarët e mi. Unë dua që të jem kryeministër, siç edhe jam i të gjithë qytetareve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze. Unë takohem me ta edhe në veri edhe kudo që ka serbë. Sepse ata nuk janë vetëm në veri, këtu jetojnë vetëm 1/3 e serbëve të Kosovës. 2/3 janë në jug të veriut. Unë takohem me të gjithë, mundemi edhe tash kudo në restorant, ose kafiteri.
“Pse nuk shkoni në kafiteri të takoni serbë që nuk janë me Listën Serbe, ti pyeteni si ndihen?”, është pyetur Kurti përsëri nga gazetarja serbe.
“A kuptoni ju që ata kanë frikë nga Beogradi nëse ata e kuptojnë se më kanë takuar”, i është përgjigjur ai.
A mund t’u afroheni atyre?
“Unë këtë e bëj, por nuk ka foto më pas. Ata kërkojnë nga unë të mos i publikojmë fotografitë dhe unë them në rregull, sepse unë dua ti mbroj. Unë jam për të gjithë këtu. Kalojeni sa më shumë këtë urë, shkoni nga veriu në jug, dhe anasjelltas, Kryeminsitri juaj është këtu për infrastrukurë, për zhvillim dhe progres”, ka thënë ai.



