PDK mohon koalicionin me VV-në në Fushë Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Fushë Kosovë ka demantuar kategorikisht raportimet dhe spekulimet për një bashkëpunim apo koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Spektatori.

Në një reagim zyrtar, PDK-ja në Fushë Kosovë ka theksuar se nuk është marrë asnjë vendim nga organet kompetente të partisë lidhur me emërimin e individëve të caktuar në pozita komunale në emër të kësaj partie. Sipas tyre, çdo deklaratë apo veprim i bërë nga persona të paautorizuar përbën keqpërdorim të emrit dhe logos së PDK-së.

“Çdo pretendim se individë të caktuar janë emëruar apo do të emërohen në pozita komunale në emër të PDK-së është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.

Tutje, dega lokale e PDK-së ka kritikuar ashpër, siç i quan ajo, “profiterët politikë”, duke theksuar se individët që për interesa personale, materiale apo financiare përpiqen të përfitojnë duke u thirrur në emër të PDK-së, janë jokredibilë dhe nuk e përfaqësojnë partinë.

PDK në Fushë Kosovë ka theksuar se veprime të tilla dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve dhe elektoratit, duke u distancuar qartë nga çdo afërsi apo bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe nga çdo përfaqësues i saj që, sipas PDK-së, ka keqpërdorur pozitën institucionale dhe paranë publike për interesa politike.

Në fund, Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Fushë Kosovë ka ritheksuar përkushtimin e saj ndaj vlerave partiake, interesit qytetar dhe mbrojtjes së besimit të elektoratit, raporton Spektatori

Lexo edhe:

Back to top button