PDK-ja e gjeneroi këngën e fushatës me ‘AI’, LVV-ja sloganin me ‘AB’

Në prag të hapjes së fushatës, partitë kanë nisur t’i tregojnë kthetrat. Pas befasive me listat, të cilave ua ndërruan ngjyrat dhe dizajnet, tashmë kanë nisur edhe publikimin e këngëve të fushatës dhe sloganeve.

PDK ia prezantoi publikut këngën që do të ua shoqërojë kampanjën “We Rise Together”, e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Natyrshëm, kjo u interpretua si dëshmi e përkushtimit të kësaj partie për ta përqafuar inovacionin. Dhe, natyrisht, edhe kënga u përqafua nga votuesi pdkist, sidomos ai nga Drenica.

Siç ka mësuar Spektatori, nga pozicioni prej një spektatori, kënga mori mbështetje të fuqishme veçanërisht nga Sami Lushtaku. Keyedrenicasi raportohet se me ta dëgjuar, ka thënë: Veç t’ish kanë edhe me sharkia. Derisa ka pasur edhe një ndërhyrje për një back vocal femëror në këngë, për të cilën pjesë është shprehur: Hiqne këtë kudër!

Në po të njëjtën ditë, VV u kundërpërgjigj edhe më fuqishëm kundrejt këngës së PDK’së, të gjeneruar me AI. Partia e Albin Kurtit dhe vetëm e Albin Kurtit prezantoi sloganin e gjeneruar me AB. Me inteligjencën e Agim Bahtirit. Sloganin “Mos lësho pe”.

Edhe kjo erdhi si dëshmi e diçkaje. Si dëshmi e përqafimit të inovacionit dhe vizionit agimbahtirian. Por, edhe përkushtim për të qenë përherë barrierë ndaj të gjithë atyre që “kot do të kish e kot do të kenë”. Krejt kjo në kuadër të një platforme politike të mirëfilltë “Bashka – Pasataj”.

Ky slogan nuk vjen rastësishëm. Shkronjë për shkronjë është shpërfaqje e një rrugëtimi historik të një personaliteti epik. Është shprehje më e fuqishme sesa baza e betonit që mban urën mbi të cilën Agim Bahtiri shahej me nënë me Milan Radojçiqin. Është thirrje që jehon më shumë se këngët e Shakirës në koncertin e mbajtur mbi Urën e Ibrit.

Një slogan që të jep ngrohtësi më shumë sesa ngrohtoret me bërthama të kumbullave të cilat erdhën si inovacion bahtirian në Mitrovicë. Një togfjalësh me më shumë shije se këpurdhat e fabrikave, themelet e të cilave në qytetin e minatorëve kanë vulën me inicialet AB.

“Mos lësho pe” është më shumë se një slogan. Është epitoma e asaj çka ka mbetur sot Vetëvendosja. Është edhe epitafi për komunitetin e njerëzve që refuzuan të nënshtrohen prej kujtdo derisa ranë në Agim Bahtirin.

*Shënim: Rubrika ‘Facebookologjia’ është krijuar si një satirë e pastër, ku ngjarjet, personazhet dhe situatat trajtohen me humor, ironi dhe sarkazëm; ndaj çdo përmbajtje në këtë seksion duhet kuptuar si satirike dhe jo si informacion real.

Back to top button