
Një delegacion gjashtëanëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Yunus Emre (Turqi, SOC), do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, raporton Spektatori.
Gjatë vizitës, delegacioni do të zhvillojë takime me udhëheqës dhe përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë edhe partitë që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë. Po ashtu, janë paraparë takime me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, organizatave joqeveritare dhe mediave.
Delegacioni do të vëzhgojë procesin e votimit më 28 dhjetor. Sipas njoftimit, një ekspert i Komisionit të Venecias – grupi i Këshillit të Evropës i ekspertëve ligjorë të pavarur – do të ofrojë mbështetje ligjore gjatë gjithë vizitës.
“Një konferencë për shtyp është planifikuar të hënën, më 29 dhjetor, në orën 14:00”, thuhet në njoftimin zyrtar të PACE, raporton Spektatori



