Osmani takon Papa Leonin XIV dhe e fton për vizitë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të shtunën një takim me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë në Vatikan, raporton Spektatori.

Osmani ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi i ka përcjellë Papës urimet për fillimin e misionit të tij, duke theksuar se e ka ftuar gjithashtu për një vizitë zyrtare në Kosovë. Ajo ka nënvizuar se me Papa Leonin XIV kanë diskutuar për rolin e Kosovës dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Në një postim të publikuar pas takimit, Presidentja Osmani e ka cilësuar audiencën private në Selinë e Shenjtë si një nder të veçantë. Ajo ka theksuar se i ka shprehur Papës urimet më të përzemërta për fillimin e pontifikatit të tij, me shpresën që misioni i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë në mbarë botën.

Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit ka përcjellë ftesën për një vizitë të Papa Leonit XIV në Republikën e Kosovës, duke theksuar se një vizitë e tillë do të pritej me shumë dashamirësi nga qytetarët e vendit.

Po ashtu, ajo ka treguar se me Papën kanë biseduar për rolin e Kosovës si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Sipas saj, është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha që lidhen me mirëqenien e qytetarëve, me shpresën që Selia e Shenjtë të marrë së shpejti vendimin për njohjen formale të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë dhe avancimin e miqësisë historike, të udhëhequr nga vlerat e përbashkëta. Në fund, ajo ka shtuar se në frymën e festës së Krishtlindjes janë ndarë urime të përbashkëta për paqe dhe harmoni në mbarë botën.

Lexo edhe:

Back to top button