
Nenad Rashiq: Vendimi i Kushtetueses përcakton nënkryetarin serb të Kuvendit
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është pranë marrjes së një vendimilidhur me lëndën e dërguar nga Lista Serbe, e cila ka të bëjë me çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, raporton Spektatori.
Rashiq ka theksuar se do ta respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetues, pavarësisht rezultatit, duke shtuar se ky vendim do të sqarojë nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive për ta propozuar kandidatin për këtë post apo nëse ekziston hapësirë edhe për kandidatë të tjerë.
“Gjykata Kushtetuese është afër fundit të një vendimi sa i përket ankesës që e ka paraqitur Lista Serbe. Unë po e pres atë vendim që të sqarohet saktë nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive, në mënyrë monopoliste, të ketë kandidatin e saj, apo nëse mund të ketë edhe një kandidat tjetër, si në rastin tim”, ka deklaruar Rashiq.
Ai ka shtuar se, në rast se Gjykata Kushtetuese vendos që vetëm Lista Serbe ka të drejtën e propozimit, atëherë ky vendim do të respektohet nga të gjithë. Por, nëse Kushtetuesja lejon kandidim edhe nga subjektet e tjera serbe, Rashiq ka bërë të ditur se është i gatshëm të synojë postin e nënkryetarit të Kuvendit.
“Nëse mbetet ashtu siç është, unë jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit, sepse Lista Serbe nuk ka pasur përfaqësim adekuat të serbëve”, ka theksuar ai.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përfaqësimin politik të komunitetit serb në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit, raporton Spektatori.



