Murati thotë se s’ka pagë të 13-të këtë vit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se lajmi i publikuar sot se Qeveria Kurti planifikon që të jap rrogën e 13-të për sektorin publik para zgjedhjeve, është gënjeshtër.

Murati tha se paga e 13-të është e paraparë në ligjin e buxhetit për vitin 2026, por se këtë ligj nuk e votuan partitë e tjera.

“Por siç e dinë të gjithë, ligjin e buxhetit për vitin 2026 nuk e votuan PDK/LDK/AAK-Nisma.Është për keqardhje që në mungesë të një programi të mirëfilltë, krejt çka u ka mbetur opozitës dhe portaleve të tyre, janë rrenat e vazhdueshme, me shpresën se diçka mbetet, dhe kësisoj gjenerojnë pakënaqësi ndaj qeverisë”, shkroi Murati në Facebook.

Ndër tjera, ai shtoi se për çfarëdo lajmi apo vendimi, Qeveria ‘çdoherë i ka njoftuar qytetarët në mënyrë transparente’.

“Prandaj nëse shihni çfarëdo njoftimi që ka të bëjë me Qeverinë, mos u besoni pa e verifikuar fillimisht nëse diçka e tillë është thënë nga kanalet zyrtare të Qeverisë”, përfundoi ai.

Lexo edhe:

Back to top button