Kushtetuesja rrëzon zgjedhjen e Rashiqit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë sot një vendim përmes të cilit ka rikonfirmuar se kandidati për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të vetë këtij komuniteti, raporton Spektatori.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka qenë në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe përbën shkelje kushtetuese.

“Gjykata ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 [Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit] të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Igor Simiq dhe nëntë deputetë të tjerë të Listës Serbe.

Pas bllokadës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e një prej nënkryetarëve nga radhët e komunitetit serb ishte shndërruar në një nga ngërçet kryesore në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2025, pasi asnjë parti politike nuk kishte votuar kandidatët e Listës Serbe për këtë pozitë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kishte proceduar me short emrat e deputetëve të Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit, por asnjëri prej tyre nuk kishte arritur të siguronte votat e nevojshme në votimet e përsëritura.

Pas dështimit të nëntë deputetëve të Listës Serbe, Basha kishte proceduar me short edhe emrin e deputetit Nenad Rashiq, i cili në atë votim kishte arritur të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e Rashiqit ishte mundësuar nga votat e LDK-së, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

Pas kësaj zgjedhjeje, kryetari i Kuvendit e kishte konsideruar Kuvendin e Kosovës si të konstituuar, një qëndrim që ishte mbështetur edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në një paraqitje nga oborri i QKUK-së, Osmani kishte deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit ishte përmbyllur.

“Përkundër angazhimit tim të vazhdueshëm që të kemi konstituim të Kuvendit, ajo çështje është varur kryekëput nga vullneti i partive politike dhe deputetëve të Kuvendit, por më në fund edhe ai proces u përmbyll. Kemi Kuvend plotësisht të konstituuar”, kishte deklaruar Osmani në tetor të vitit të kaluar.

Duke e konsideruar të përfunduar procesin e konstituimit të Kuvendit pas votimit të Nenad Rashiqit, presidentja Osmani kishte mandatuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili më pas kishte dështuar të siguronte shumicën për formimin e institucioneve të reja.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues, që nënkupton se vendimet e marra nga Kuvendi i konsideruar i “konstituuar” nuk anulohen.

Lexo edhe:

Back to top button