Kupina: Osmani mirëpret verifikimin e pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit

Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka deklaruar se Presidenca e mirëpret verifikimin e pasurisë së Presidentes nga Agjencia Kundër Korrupsionit, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, raporton Spektatori.

Kupina ka thënë se nuk kanë informacione zyrtare për nisjen e procedurës, por se Osmani nuk ka asgjë për të fshehur dhe është e hapur ndaj çdo verifikimi institucional që bazohet në ligj dhe fakte.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, por Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, për sa kohë që ai bazohet në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, e jo në fushata njollosëse, për të cilat dihet saktësisht pse po ndodhin në këtë fazë”, ka deklaruar Kupina për VOX Kosova.

VOX Kosova raportoi se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurë zyrtare për verifikimin e pasurisë së Presidentes, pas identifikimit të dallimeve të theksuara në deklarimin e pasurisë mes viteve 2024 dhe 2025.

Sipas burimeve brenda këtij institucioni, verifikimi ka filluar për shkak të mospërputhjeve të vërejtura në formularët vjetorë të deklarimit të pasurisë, kryesisht në rritjen e kursimeve dhe shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e vitit 2025 janë evidentuar lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur ndërmarrjen e verifikimeve shtesë, në përputhje me dispozitat ligjore.

Presidentja Osmani, e cila shpesh është përmendur në opinionin publik për standardin e jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës. Ajo posedon gjithashtu patundshmëri të tjera, përfshirë prona në Australi, ku një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Në deklarimin e pasurisë së vitit të kaluar, Osmani ka bërë të ditur se bashkë me bashkëshortin posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi

Lexo edhe:

Back to top button