
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka marrë një vendim të ri duke vendosur që të rinumërohen votat në 10 komuna të Kosovës, raporton Spektatori.
Siç bën të ditur KOHA, KQZ-ja ka konstatuar mospërputhje serioze mes numrit të votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime dhe atyre të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Deri dje, 12 janar, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.

Bazuar në këto gjetje, institucioni ka vendosur që të bëhet rinumërim i 100 për qind të vendvotimeve në dhjetë komuna. Komunat ku do të zhvillohet rinumërimi janë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu.
Procesi i rinumërimit pritet të nisë në ditët në vijim dhe synon të sigurojë transparencë dhe saktësi të plotë të rezultateve zgjedhore.



