
Analisti serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar se Serbia e ka njohur de facto Kosovën, ndërsa sulmi në Banjskë më 24 shtator 2023, sipas tij, ka rrënuar gjithçka në procesin e dialogut. Këto deklarata ai i bëri në një intervistë për transmetuesin publik, raporton Spektatori.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Janjiq ka thënë për RTK-në se ky mekanizëm është ofruar dhe konceptuar në mënyrë të gabuar që në fillim.
Ai ka vlerësuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka humbur përmbajtjen politike dhe është reduktuar në takime formale, pa rezultate konkrete. Sipas tij, edhe pse dialogu është thelbësisht i bllokuar, në marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën disa çështje kyçe tashmë janë faktikisht të zgjidhura.
“Në këtë proces, Serbia e ka njohur de facto Kosovën. Kjo është e përfshirë në marrëveshje dhe dokumente. Narrativi për ‘mosnjohjen’ shërben vetëm për përdorim të brendshëm. Beogradi nuk ka më çfarë të ofrojë dhe me sulmin në Banjskë gjithçka është dorëzuar”, ka deklaruar Janjiq.
Megjithatë, ai ka theksuar se problemet kryesore politike vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, në formën aktuale, nuk është i realizueshëm dhe nuk mund të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, në këtë formë, nuk është i realizueshëm. Kosova tashmë është e decentralizuar dhe modeli etnik përfaqëson një dështim politik. Pa status institucional të qartë dhe mbrojtje reale të të drejtave të komunitetit serb, Kosova nuk ka një rrugë serioze drejt Këshillit të Evropës. Ekzistojnë modele të tjera, madje edhe kryeministri Kurti ka përmendur modelin kroat si të pranueshëm për vetëqeverisjen e pakicave”, ka theksuar Janjiq.
Në fund, Janjiq ka vlerësuar se dialogu, në formatin aktual, nuk mund të ringjallet pa një ndryshim thelbësor të qasjes. Sipas tij, procesi i normalizimit ka mbetur i bllokuar, pa asnjë përparim real. “Viti 2025 kaloi me kafe në vend të dialogut. Ajo që po bën tani fasilitatori i ri është vetëm një përpjekje burokratike për të ringjallur diçka që nuk mund të ringjallet në këtë formë”, ka përfunduar ai.



