Janina Ymeri: 2025 shënon import rekord dhe mungesë planifikimi energjetik

Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, ka deklaruar se viti 2025 është karakterizuar nga amulli dhe mungesë serioze e planifikimit në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, raporton Spektatori.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymeri theksoi se Kosova ka arritur nivelin më të lartë ndonjëherë të importit të energjisë elektrike, rreth 247 milionë euro, pa përfshirë muajin dhjetor. Sipas saj, kjo nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit bazë, por e rritjes së sasisë së importit dhe mungesës së planifikimit në kohë.

Ajo kritikoi institucionet përgjegjëse duke thënë se gjatë vitit 2025 nuk është publikuar plani energjetik, ndërsa ende nuk ekziston as draft për vitin 2026. Sipas Ymerit, ndërhyrjet në Termocentralin B, që çuan në ndalje të gjatë të prodhimit, janë menaxhuar dobët dhe kanë rezultuar në importe të shtrenjta dhe fatura të larta për qytetarët.

“Problemi kryesor nuk ka qenë çmimi, por sasia e importit. Ka pasur abuzim me sasi dhe mungesë planifikimi, ndërsa përgjegjësia po i bartet qytetarëve përmes rritjes së faturave”, deklaroi Ymeri.

Sipas saj, përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë. Ajo theksoi se pasojat më të mëdha po i bartin ekonomitë familjare, të cilat përbëjnë rreth 50 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike, raporton Spektatori.

Ymeri shtoi se ndonëse Kosova nuk ka tarifat më të larta të energjisë në Evropë, standardi i ulët jetësor dhe destabiliteti energjetik e bëjnë këtë barrë të padrejtë për qytetarët. Ajo theksoi se rritja e çmimit të energjisë ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera, duke krijuar një ndikim të dyfishtë në ekonomi.

Si zgjidhje, Ymeri përmendi planifikimin vjetor të energjisë, transparencën në importe, investimet në Termocentralin B dhe zhvillimin serioz të burimeve të ripërtërishme, duke theksuar se vetëm kështu mund të stabilizohet sektori energjetik dhe të mbrohen qytetarët nga barrat e padrejta financiare

Lexo edhe:

Back to top button