Hoxhaj: Kurti ka bërë politikë anti-shqiptare dhe anti-amerikane

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po ndjek një politikë antiamerikane dhe antishqiptare, e cila sipas tij po i dëmton interesat shtetërore të Kosovës për përfitime të brendshme politike, raporton Spektatori.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxhaj tha se Kosova historikisht ka pasur mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, shtete që kanë qenë prijëse në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ai theksoi se, ndonëse Bashkimi Evropian shpesh e ka kushtëzuar Kosovën në mënyrë të padrejtë, përgjegjësia kryesore për izolimin aktual bie mbi qeverinë Kurti.

“Kosova është e izoluar nga BE-ja jo vetëm për fajin e dikujt në Bruksel, por mbi të gjitha për faj të Kurtit, i cili ka ndjekur një politikë antievropiane, antishqiptare dhe antiamerikane”, u shpreh Hoxhaj.

Sipas tij, dështimi i Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, edhe pas tre vjetësh nga aplikimi, është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje të gabuar politike.

Hoxhaj kritikoi gjithashtu raportet e Kurtit me Shqipërinë, duke thënë se ndonëse ai erdhi në pushtet me një platformë pro-Tiranës, gjatë qeverisjes së tij ka vepruar me një politikë që, sipas tij, ka qenë shpeshherë kundër bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri.

“Kjo sjellje e tij në rajon e ka dëmtuar interesin e Kosovës dhe i ka shërbyer Kurtit për të krijuar një ndjenjë padrejtësie te qytetarët e Kosovës”, përfundoi Hoxhaj, raporton Spektatori.

Lexo edhe:

Back to top button