
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar mënyrën se si Qeveria Kurti e ka zbatuar liberalizimin e tregut për bizneset, duke thënë se procesi është bërë me nxitim dhe pa përgatitje të nevojshme institucionale.
Në emisionin “Context” në ATV, Hamza theksoi se liberalizimi nuk mund të japë efektet e tij kur qeveria nuk krijon më parë kushtet minimale për funksionimin e bizneseve në treg të hapur dhe konkurrencë të lirë.
Ai shtoi se, në vend që t’u uleshin kostot, bizneset në Kosovë janë përballur me barrë edhe më të madhe financiare.
“Liberalizimi i tregut nuk mund të bëhet pa përgatitur kushtet për bizneset. Nuk mund t’i dërgosh në treg të lirë kur ato nuk kanë as hapësirë për të lidhur kontrata. Nuk mund t’i vendosësh në treg të lirë kur çmimi i energjisë rritet mbi 100 për qind. Fillimisht duhen krijuar kushtet dhe vetë tregu, e më pas t’u kërkohet bizneseve të dalin për furnizim në treg të lirë. Qëllimi i procesit është ulja e kostove, jo rritja e tyre,” deklaroi Hamza.



