Grumbullim uji, rrëshqitje dheu – probleme në disa rrugë të Kosovës pas vërshimeve, Durmishi jep detaje

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, ka njoftuar për gjendjen në rrugët e Kosovës pas reshjeve të fundit të shiut dhe borës, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa segmente rrugore, raporton Spektatori.

Durmishi ka bërë të ditur se në rrugën Prishtinë–Ferizaj ka grumbullim të madh të ujit si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike, çka ka sjellë bllokimin e qarkullimit. Sipas tij, ekipet janë në terren dhe po punojnë për shkarkimin e ujit, ndërsa rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

Po ashtu, probleme janë raportuar edhe te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ku grumbullimi i ujit është shkaktuar nga bllokimi i kanalit atmosferik. Autoritetet po punojnë intensivisht për zhbllokimin e këtij segmenti.

Në autostradën “Ibrahim Rugova” është shënuar rrëshqitje e dheut, ndërsa ekipet kompetente janë angazhuar për sanim sa më të shpejtë, me qëllim të rikthimit të qarkullimit normal. Ndërkohë, në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ka pasur gjithashtu grumbullim të ujit, ku po ndërhyhet me sanim emergjent.

Probleme janë evidentuar edhe në rrugën Zhur–Dragash, ku ka lëvizje të trupit të rrugës. Në këtë segment është vendosur sinjalizimi përkatës dhe qarkullimi aktualisht zhvillohet vetëm në një shirit.

Ministri Durmishi ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të situatës dhe ka apeluar që, nëse është e mundur, të evitohet qarkullimi i panevojshëm në këto pika problematike

Lexo edhe:

Back to top button