Gjykata Speciale kundërshtohet sot në Shkup

Pas Prishtinës, Tiranës , Hagës, Strasburgut e Tiranës, protesta e radhës për kundërshtimin e Gjykatës Speciale, do të mbahet sot në Shkup.

Protesta mbahet sot nga ora 13:00.

Pavarësisht se e thirrur nga Organizatat e Veteranëve të Luftës, këta të fundit nuk kanë marrë asnjë garanci që veteranët nuk do të arrestohen nga Shkupi zyrtar.

Kjo pasi një pjesë e tyre figurojnë në kërkim në listat e INTERPOL-it, si pasojë e Serbisë.

Protesta do të ketë thirrjen për drejtësi, dhe po mbështeet nga Ali Ahmeti. Përdersisa, VLEN-i nuk ka patur ndonjë qëndrim publik.

Protesta është mbështetur edhe nga tifozët Shvercerat në Shkup.

Me pjesëmarrje të qindra-mijëra personave, protestat u organizuan me thirrjen për drejtësi nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithatë, protestat e veteranëve, Gjykata Speciale po i quan aktivtete politike.

Në një përgjigje për Nacionalen, nga Gjykata kanë thënë se nuk i komentojnë këto zhvillime, dhe se janë të fokusuar në zbatimin e mandatit për gjykime të drejta.

“Si gjykatë, Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të kryer gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, siç kërkohet nga Shkëmbimi i Letrave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Kushtetuta e Kosovës, si dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ne nuk komentojmë mbi zhvillimet ose aktivitetet politike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.

Fillimisht, protesta e parë ishte mbajtur në Prishtinë. Aty masës së madhe me protestues iu drejtuan Hysni Gucati, Ali Ahmeti dhe Nevenka Tromp.

Më pas, protesta e dyta u mbajt në Hagë, afër Dhomave të Specializuara të Kosovës. Atje foli edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Kurse, protesta e fundit u mbajt në Tiranë, ku folën Hysni Gucati, Alfred Moisiu dhe Ali Ahmeti.

Gjithashtu, pati edhe një aktivitet me motoçikleta, ku shumë motoristë shkuan afër Gjykatës Speciale.

Thirrjet kryesore në këto protesta kanë qenë për drejtësi në Gjykatën Speciale të Hagës, sidomos pas pranimit të disa provave nga Serbia.

Lidhur me protestat, në vitin 2022, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte deklaruar se kanë bërë disa sondazhe të cilat tregojnë për besueshmëri ndaj Gjykatës.

“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”, kishte deklaruar ajo.

Lexo edhe:

Back to top button