
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit Albin Kurti, raporton Spektatori. Ndërkohë, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.
Në seancën fillestare të mbajtur më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm. Klinaku akuzohej për një postim në Facebook të bërë më 29 gusht 2023, ku kishte shkruar: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, vendimi është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.
Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e datës 1 gusht 2025, të hidhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm ndaj Faton Klinakut. Në aktvendim theksohet se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale për këtë pjesë do të mbulohen nga buxheti i Gjykatës. Kundër këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.
Pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili akuzohet për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal. Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi të montuar të kryeministrit Kurti, të shoqëruar me shkrime kërcënuese, ku thuhej: “E mbështes Faton Klinakun” dhe “Veç ni telefon ma ban Faton, aty m’ki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, raporton Spektatori



