
Ka përfunduar seanca gjyqësore për tre personat e arrestuar si të dyshuar për marrjen peng të një shtetasi kosovar në Vlorë, ku gjykata ka vendosur dy masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë “arrest në shtëpi”, raporton Spektatori.
Sipas vendimit të gjykatës, për Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për Vilson Agaj është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Tre të dyshuarit do të hetohen në vijim për veprën penale të pengmarrjes, ndërsa organet e drejtësisë do të vazhdojnë procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
Mësohet se kosovari ishte mbajtur peng për rreth dy javë në një apartament, shumë pranë Drejtorisë së Policisë së Vlorës. Pas zbulimit të vendndodhjes, policia ka identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sipas hetimeve, pengmarrësit kishin kërkuar shumën prej 70 mijë eurosh për lirimin e pengut, i identifikuar si Fisnik Xhaka nga Mitrovica. Dyshohet se policia është vënë në lëvizje pasi motra e tij, e cila ndodhej në Suedi, ka humbur kontaktet me të vëllain dhe ka njoftuar autoritetet, si dhe pasi i është kërkuar shuma e parave për lirimin e tij.



