Fadil Ismajli para Gjykatës, kërkohet paraburgim për korrupsion

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, së bashku me gjashtë zyrtarë të tjerë të arrestuar për korrupsion, do të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Spektatori.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur se seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet të shtunën, më 20 dhjetor, në ora 12:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion. Sipas kërkesës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje nga 20 shkurti 2023 e deri më 18 dhjetor 2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri M.D. dyshohet se, në emër të Fadil Ismajlit, në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim-ankesë për ndryshim të një vendimi përfundimtar për shpronësim të pronës, ndonëse afati ligjor kishte kaluar për më shumë se tetë vjet. Megjithatë, i pandehuri J.M., si dhe pala kundërpropozuese, Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që rasti të përfundojë me marrëveshje gjyqësore.

Si pasojë e këtyre veprimeve, vetëm në një rast dyshohet se i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm ende nuk është përcaktuar, por dyshohet se arrin vlera milionëshe, raporton Spektatori.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe deklarimi i rremë.

Fadil Ismajli, njëri nga të arrestuarit, ka shërbyer si ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës gjatë vitit 2013

Lexo edhe:

Back to top button