
Vazhdimisht kritikonte, fyente dhe shante gazetarët. Rasti i fundit ishte në mbledhjen e KQZ-së, ku Sami Kurteshi, si anëtar i Vetëvendosjes, kishte kërkuar që gazetarët të mos kalojnë vijën, sepse po i pengonin — sikur Kurteshi të ishte sigurim i KQZ-së.
“Ju lutem z. zëdhënës, jau bani një vijë, sepse po bëjnë shpifje. S’ka asnjë pyetje kur e shkelni çdo kod!”, bërtiste Kurteshi.
Por duket se gjithçka tashmë ka ndryshuar. “Spektatori” ka mësuar nga burime të veta brenda Lëvizjes Vetëvendosje se Kurteshi këtë të martë ka kërkuar takim urgjent me Kurtin.
Ky i fundit, i angazhuar dhe pa pasur kohë me zhvillimet e fundit politike dhe përgatitjet për zgjedhje, e ka refuzuar Kurteshin me fjalët: “Largoma atë babyface nga këtu”. Duket se me këto fjalë, aktivistit të kahmotshëm nga Gjilani iu lëviz e gjithë ndërtesa e subjektit më të madh në vend, dhe shkoi si një grua e tërbuar kur e tradhton burri, në zyrën e Kurtit, i cili këtë të martë gjendej në parti e jo në kryeministri.
“Unë nuk i shaj më gazetarët!”, duket të ketë bërtitur fort Kurteshi.
“Pse?”, e pyet Kurti.
Pasi kishte pirë një gotë ujë që ia kishte dhënë vetë Kurti me duart e tij, Kurteshi tha se gjatë natës, sa po flinte, i kishte ardhur një i “mbërritur” si dritë e bardhë në ëndërr, duke i thënë se është duke bërë mëkat të madh duke sharë dhe fyer gazetarët, dhe se nëse vazhdon, le ta harrojë parajsën.
“E kam bërë, nuk e bëj më”, thuhet të kenë qenë fjalët e fundit të tij, gjatë largimit nga zyra e të parit të partisë dhe vendit.
Kurteshi ka thirrur edhe një konferencë të mërkurën në orën 18:00, ku pritet që edhe publikisht të kërkojë falje.
*Shënim: Rubrika ‘Facebookologjia’ është krijuar si një satirë e pastër, ku ngjarjet, personazhet dhe situatat trajtohen me humor, ironi dhe sarkazëm; ndaj çdo përmbajtje në këtë seksion duhet kuptuar si satirike dhe jo si informacion real.


