
Ish-zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Spektatorin se ka kërkuar nga ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, emërimin e një këshilltari nga komuniteti boshnjak, por se kjo kërkesë nuk është realizuar, raporton Spektatori.
Rexhepi ka theksuar se përfaqësimi i komunitetit boshnjak në institucionet e larta shtetërore është i domosdoshëm dhe se mungesa e tij përbën një hendek serioz në përfshirjen institucionale të komuniteteve joshumicë.
“Kam kërkuar që të emërohet një këshilltar nga komuniteti boshnjak, por fatkeqësisht kjo kërkesë nuk na është përmbushur”, ka deklaruar Rexhepi.
Sipas saj, përfaqësimi i drejtë dhe substancial i komuniteteve është pjesë thelbësore e parimeve demokratike dhe kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e besimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe qytetarëve që ato përfaqësojnë.
Rexhepi ka shtuar se përfshirja e komuniteteve joshumicë nuk duhet të mbetet vetëm në nivel formal, por të reflektohet edhe në pozita këshilluese dhe vendimmarrëse, në mënyrë që politikat publike të pasqyrojnë realisht nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës



