
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, ka njoftuar se sot ka marrë pjesë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Ferizajt, lidhur me rastin e kërcënimit që, sipas tij, i ishte bërë nga bashkatdhetari I. Nikqi pas një prononcimi të tij në emisionin “EuroT7” në T7.
Qorrolli tha se personi i dyshuar kishte përdorur edhe frazën “dy plumba pas qafe”, ndërsa shtoi se ishte befasuar kur zbuloi se ai ishte shqiptar dhe fliste shqip.
Pavarësisht kërkesës për falje gjatë procesit gjyqësor, Qorrolli theksoi se në raste të tilla nuk fal.
“Parimet e mia dhe besimi në institucione më obligojnë të jem i qartë: unë nuk fal dhe nuk di të fal në këso rastesh,” shkroi ai në Facebook.
Ai ka falënderuar institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për mbrojtjen ndaj tij dhe familjes, si dhe përfaqësitë diplomatike, mediat, organizatat e biznesit dhe qytetarët për mbështetjen e treguar.
Qorrolli njoftoi gjithashtu se i gjithë kompensimi financiar që do të përfitojë nga ky rast do t’u dedikohet organizatave bamirëse dhe atyre që mbështesin të drejtat dhe fuqizimin ekonomik të grave.



