Draft-konkluzat e BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian pritet të miratojë të martën konkluzionet lidhur me procesin e zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën që i kushtohet Kosovës, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë ritmin e reformave, raporton Spektatori.

Në draft-konkluzat, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, theksohet nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura me Serbinë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar që në dhjetor të vitit 2022. Sipas raportit, nevoja për reforma vërehet sidomos në forcimin e administratës publike dhe sundimin e ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore, veçanërisht lirinë e shprehjes, fushë në të cilën thuhet se nuk ka pasur përparim.

Në anën tjetër, përparim vlerësohet se ka pasur në luftën kundër krimit të organizuar. Kosova gjithashtu lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt dhe atyre lokale më vonë gjatë vitit, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

Në draft përmendet edhe transferimi i rregullt i pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ndërsa Këshilli përsërit pritjen për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Këto masa ishin vendosur në verën e vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri dhe janë hequr vetëm pjesërisht.

Sipas një analize të Institutit GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht për shkak të kalimit të afateve.

Në raport theksohet se zgjerimi i BE-së ka rëndësi gjeostrategjike dhe kontribuon në paqen, sigurinë dhe stabilitetin evropian. Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë momentum për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së, raporton Spektatori.

Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, BE-ja përsërit mbështetjen e plotë për procesin dhe paralajmëron se mungesa e përparimit mund t’u kushtojë të dyja palëve në rrugën evropiane. Kosova përmendet pozitivisht edhe për harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë dënimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Lexo edhe:

Back to top button