
Përmes një letre drejtuar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të vendosur funksionet e tij organizative bazë në mbledhjen konstituive të 20 janarit 2026, raporton Spektatori.
Në letrën drejtuar z. Qalaj, BE-ja thekson se dështimi për të konstituuar Këshillin është zhgënjyes, pasi përbërja e re e KPK-së synonte të shënonte një hap kyç në reformën e sistemit prokurorial në Kosovë. Megjithatë, Këshilli u pengua të marrë mandatin dhe të fillojë punën siç ishte parashikuar.
Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht këtë reformë, e cila synon reduktimin e korporatizmit dhe përputhshmërinë e sistemit me parimet e sundimit të ligjit. Në letrën theksohet se ka pasur shqetësime të përsëritura për vendime proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme që kanë minuar zbatimin e reformës.
Si pasojë, legjitimiteti i Këshillit është dobësuar dhe kjo cenon angazhimin e BE-së ndaj një institucioni me qeverisje ligjore, transparente dhe të drejtë.
Ambasadori Orav i bën thirrje ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për funksionimin e rregullt të Këshillit, duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore dhe duke shmangur çdo praktikë që mund të shihet si manipulim procedural apo pengesë taktike.
Në fund, BE-ja thekson se sistemi prokurorial është gur themeltar i sundimit të ligjit dhe funksionimi i tij i rregullt është thelbësor për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane. Zhvillimi i këtij sistemi mbetet një angazhim i vazhdueshëm i BE-së dhe element kyç i vlerësimit të situatës së sundimit të ligjit në Kosovë, ku angazhimi i ardhshëm do të varet nga kredibiliteti i Këshillit dhe respektimi i parimeve të qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë.
Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar më 21 janar 2026, duke shprehur shqetësim të thellë për veprimet e Agron Qalajt, që sipas tyre po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe po përforcojnë mendësinë e vjetër të qeverisjes korporatiste në sistemin prokurorial.



