Bankat komerciale rrisin tarifat e shërbimeve, qytetarët paguajnë më shtrenjtë

Një pjesë e bankave komerciale në Kosovë kanë rritur gjatë këtij viti çmimet e disa shërbimeve për klientët e tyre, përfshirë tarifat për tërheqjen e parave në degë, mirëmbajtjen e kartelave bankare dhe shërbimet e e-banking, raporton Spektatori.

Megjithëse vitin e kaluar shënuan fitime rekorde, bankat komerciale kanë shtrenjtuar shërbimet për qytetarët, pa dhënë sqarime të detajuara për arsyet e këtyre rritjeve. As Banka Qendrore e Kosovës, në rolin e rregullatorit, dhe as vetë bankat nuk kanë ofruar shpjegime konkrete për shtrenjtimin e tarifave.

Qytetarët tashmë po paguajnë deri në dyfish më shumë për disa shërbime bankare, ndërsa rritje janë shënuar edhe te tarifat për tërheqje të parave në sportele, mirëmbajtje të kartelave dhe përdorim të aplikacioneve të bankingut elektronik.

Këto rritje të tarifave po ndodhin vetëm disa muaj pasi bankat realizuan fitime rekord në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar e ka mbyllur vitin 2024 me një fitim neto prej 182.1 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend.

Ndërkohë, Banka Qendrore ka bërë të ditur se ka pranuar 17 ankesa nga qytetarët pas rritjes së çmimeve të shërbimeve bankare. Nga ky institucion është theksuar se procesi i rishikimit të tarifave duhet të realizohet mbi bazën e metodologjive të brendshme të bankave, të cilat janë subjekt i mbikëqyrjes dhe obligimit për publikim.

“BQK-ja ka avancuar kornizën rregullative që forcon transparencën, konkurrencën dhe zgjeron qasjen në financa, krahas bankave edhe për institucionet financiare jo-bankare, kryesisht të natyrës digjitale”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore.

Sipas BQK-së, tarifat përcaktohen nga vetë bankat, të cilat janë të obliguara t’i shpalosin ato në mënyrë transparente dhe t’i njoftojnë klientët për çdo ndryshim.

Lexo edhe:

Back to top button