Atletet “Grinch” të Kobe Bryant pritet të shiten mbi 10 milionë dollarë

Një palë atlete të kompanisë Nike me emrin “Grinch”, të mbathura dhe të nënshkruara nga legjenda e ndjerë e NBA-së, Kobe Bryant, janë ekspozuar në Beverly Hills përpara se të dalin në ankand, raporton Spektatori.

Bryant, i cili zhvilloi të gjithë karrierën e tij 20-vjeçare me Los Angeles Lakers, i mbathi atletet Nike “Grinch” më 25 dhjetor 2010, gjatë një ndeshjeje të Krishtlindjeve kundër Miami Heat.

Firma e Kobe Bryant ndodhet në të dyja atletet, të cilat janë unike pasi ai i mbathi vetëm në atë ndeshje dhe kurrë më pas gjatë karrierës së tij.

Atletet janë të ekspozuara për publikun në shtëpinë e Canon Collectibles në Beverly Hills deri më 19 dhjetor. Pas kësaj date, ato do të dalin në ankand nga Joopiter, shtëpia digjitale e ankandeve e themeluar nga artisti Pharrell Williams.

Drejtuesja globale e shitjeve në Joopiter, Caitlin Donovan, ka deklaruar se pritet që atletet të kapërcejnë vlerën e 10 milionë dollarëve në ankand.

Ajo theksoi se këto atlete kanë një rëndësi të veçantë historike, pasi deri në vitin 2010 rregullat e NBA-së kërkonin që atletet e lojtarëve të përputheshin me ngjyrat e fanellës ose të ishin bardhë apo të zeza. Përjashtimi i Krishtlindjeve i lejoi Kobe Bryant të prezantonte për herë të parë atletet jeshile “Kobe Six Grinch”.

“Këto atlete u shfaqën më 25 dhjetor 2010 dhe nuk janë parë më që nga ajo ndeshje. Ajo u shndërrua në një nga momentet më ikonike në historinë e atleteve dhe ‘Kobe Six Grinch’ u bënë ndër atletet më të famshme ndonjëherë”, tha Donovan.

Sipas saj, Bryant i mbathi këto atlete vetëm një herë në jetën dhe karrierën e tij, duke i bërë ato jashtëzakonisht të rralla dhe me vlerë të jashtëzakonshme koleksionuese.

Lexo edhe:

Back to top button