
Në fund të viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, Jugosllavia federale u përfshi nga një krizë e thellë ekonomike, politike dhe identitare. Pas vdekjes së Josip Broz Titos, sistemi socialist nisi të shpërbëhej nën presionin e kërkesave për autonomi, inflacionit të zgjatur dhe papunësisë masive. Rritja e nacionalizmit u përshpejtua nga politika dhe propaganda e liderëve si Slobodan Miloševiç në Serbi, Franjo Tuđman në Kroaci dhe figura të tjera nacionaliste në Bosnje e Hercegovinë.
Në këtë ambient toksik, strukturat kriminale dhe formacionet paramilitare u lidhën ngushtë me politikën dhe ekonominë ilegale, duke krijuar një realitet frike dhe dhune. Figura më e spikatur e kësaj simbioze ishte Željko “Arkan” Ražnatović, një nga personazhet më të errëta të asaj dekade, raporton Spektatori.
Arkan lindi më 17 prill 1952 në Slloveni, në një familje ushtarake. Babai i tij, Veljko Ražnatović, ishte kolonel i dekoruar i Forcave Ajrore të Jugosllavisë. Fëmijërinë e kaloi në Zagreb dhe Beograd, në një ambient të rreptë ushtarak, të shoqëruar me dhunë fizike, gjë që ai vetë e ka përmendur në rrëfimet e tij.
Që në adoleshencë, Arkan u përfshi në kriminalitet, me arrestime për vjedhje në Beograd. Në moshën 15-vjeçare u largua nga Jugosllavia dhe përfundoi në Paris, ku u arrestua për grabitje dhe më pas u deportua. Në Jugosllavi u dënua me burg, ku krijoi një bandë kriminale, duke treguar aftësi organizative dhe udhëheqëse.
Gjatë kësaj periudhe, sipas burimeve të ndryshme, Arkan u rekrutua nga UDBA – shërbimi sekret jugosllav – me mbështetje politike në nivelet më të larta. Pas lirimit, ai veproi në Evropën Perëndimore, duke realizuar grabitje bankash në Belgjikë, Suedi, Holandë, Gjermani, Zvicër dhe Itali, shpesh duke u arratisur në mënyrë misterioze nga burgjet, çka forconte dyshimet për mbrojtje shtetërore.
Me shpërbërjen e Jugosllavisë, Arkan u rikthye në Serbi dhe në vitin 1990 themeloi Gardën Vullnetare Serbe, të njohur si “Tigrat”, me mbështetje të drejtpërdrejtë shtetërore. Njësia e tij u përfshi në krime të rënda lufte në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë masakra, pastrim etnik, përdhunime sistematike dhe shkatërrim të vendbanimeve civile.
Tribunali i Hagës lëshoi një urdhër-arresti sekret ndaj Arkanit në vitin 1997 për krime kundër njerëzimit, por ai kurrë nuk u arrestua, për shkak të mbrojtjes politike në Serbi. Paralelisht, Arkan hyri në politikë, themeloi Partinë e Unitetit Serb dhe u bë deputet, ndërsa ndërtoi një perandori ekonomike përmes tregut të zi, kazinove, restoranteve dhe klubit të futbollit FK Obilić.
Më 15 janar 2000, Arkan u vra në hollin e hotelit “Intercontinental” në Beograd. Vrasja e tij mbeti e pazbardhur, ndërsa shumë dyshime u ngritën për motive politike dhe kriminale. Edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, deklaroi se Arkan duhej të gjykohej në Hagë.
Sot, figura e Arkanit mbetet thellësisht përçarëse në Serbi: për disa ai është hero patriotik, për të tjerë kriminel lufte dhe simbol i gangsterizmit shtetëror. Ai kurrë nuk u dënua për krimet e rënda që i atribuohen, ndërsa trashëgimia e tij mbetet një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit.
