Ambasadori gjerman: Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri funksionale

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar lart mikpritjen që ka marrë në Kosovë dhe lidhjet e forta mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova mbetet një histori suksesi evropiane, por që ka nevojë për veprime konkrete politike dhe institucionale.

Në një shkrim autorial, Rudolph ka bërë të ditur se pas më pak se tre muajsh në Prishtinë, është bindur se lidhjet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të thella dhe të ndërtuara ndër vite, të mbështetura edhe nga qindra mijëra qytetarë që jetojnë mes dy vendeve.

Ambasadori gjerman ka theksuar se fokusi i misionit të tij diplomatik në Kosovë do të jetë në tri fusha kryesore: integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket integrimit evropian, Rudolph ka thënë se Kosova ka pritur shumë gjatë për njohje dhe integrim të plotë ndërkombëtar, duke shtuar se ekziston një konsensus i gjerë shoqëror për vlerat evropiane, por që ky konsensus duhet të shndërrohet në veprim politik. Ai ka nënvizuar se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë, e cila mund të përfaqësojë vendin ndërkombëtarisht dhe të marrë vendime brenda vendit.

“Viti i kaluar ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe vendi nuk mund të përballojë humbjen e edhe një viti tjetër”, ka shkruar ai, duke shprehur shpresën që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të formohet shpejt një qeveri në fillim të vitit 2026.

Ambasadori ka kërkuar po ashtu angazhim të fortë ndaj dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha komuniteteve në një Kosovë multietnike.

Në aspektin ekonomik, Rudolph ka theksuar se marrëdhëniet ekonomike Kosovë–Gjermani janë të forta, por të pabalancuara, pasi importet nga Gjermania janë shumë më të mëdha sesa eksportet e Kosovës. Ai ka inkurajuar rritjen e prodhimit dhe investimeve në Kosovë, duke nënvizuar rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë kyçe lidhëse mes dy vendeve.

Ai ka rikujtuar se Gjermania është donatori më i madh bilateral për Kosovën dhe se ndihma gjermane është e fokusuar në zhvillim të qëndrueshëm, energji të ripërtëritshme, arsim profesional dhe qeverisje të mirë.

Në fund, ambasadori ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se përparimi i vendeve fqinje në procesin e integrimit evropian nuk duhet të shihet si garë, por si nxitje për bashkëpunim. Ai ka përmendur se Mali i Zi do të kryesojë Procesin e Berlinit në vitin 2026, duke shprehur shpresën për përparim konkret për rajonin.

Duke folur edhe për përvojat e tij personale në Kosovë, Rudolph ka përmendur vizitat në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Deçan dhe Krushë të Madhe, ndërsa ka theksuar se mezi pret të marrë pjesë në festimet e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në vitin 2026.

“Në moshën 18-vjeçare, Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi evropian – që duhet ndërtuar më tej”, ka përfunduar ambasadori gjerman.

Lexo edhe:

Back to top button