
PSRK refuzon përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu nga rasti Ibër-Lepenc
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga lënda që lidhet me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, raporton Spektatori.
Lajmin e ka konfirmuar për Teve1 Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, e cila ka bërë të ditur se kërkesa e parashtruar nga mbrojtja nuk është aprovuar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta.
Kërkesa për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu ishte parashtruar nga mbrojtja e vëllezërve Viqentijeviq, të cilët akuzohen për **sulm terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Kjo kërkesë ishte bërë gjatë seancës së parë gjyqësore, e mbajtur më 24 dhjetor.
Rasti në fjalë konsiderohet me ndjeshmëri të lartë për sigurinë dhe infrastrukturën kritike, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me të njëjtin prokuror të ngarkuar në lëndë, raporton Spektatori.



