
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dalë në mbrojtje deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, pas deklaratës së këtij të fundit se partia kishte bërë “gabim trashanik” kur e kishte votuar Hashim Thaçin për president, raporton Spektatori.
Abdixhiku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar reagimin publik ndaj Mustafës si sulm të organizuar dhe duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj kritikuesve të LDK-së.
Ai ka shkruar se deklarata e deputetit të LDK-së ka “trazuar mercenarët”, duke lënë të kuptohet se reagimet kundër partisë dhe Mustafës janë të porositura dhe të motivuara politikisht.
“Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian? Besiani, një politikan shembullor, e LDK me gjithë të, nuk kanë frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura nga dëshpërimi se nuk i fusin thonjtë dot tek anëtarësia e LDK-së. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagimi i kryetarit të LDK-së vjen në një kohë kur brenda dhe jashtë partisë po zhvillohen debate për qëndrimet e së kaluarës politike të LDK-së, përfshirë edhe rolin e saj në proceset institucionale dhe zgjedhjet për president.
Deklaratat e Abdixhikut dhe Mustafës kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa pritet që kjo temë të vazhdojë të jetë pjesë e debatit politik në ditët në vijim.



