Lumir Abdixhiku mbledh nënkryetarët dhe kryetarët e komunave, priten diskutime të ashpra për disfatën zgjedhore

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thirrur për të martën një mbledhje me nënkryetarët e partisë dhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo forcë politike, në një kohë kur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po thellohen debatet pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e fundit parlamentare, raporton Spektatori.

Burime të besueshme brenda LDK-së bëjnë të ditur se në këtë takim nuk është ftuar e gjithë kryesia e partisë. Arsyeja, sipas këtyre burimeve, lidhet me faktin se diskutimet pritet të jenë të ashpra, me tone të theksuara kritike dhe fajësuese ndaj disa figurave partiake për rezultatin zgjedhor.

E njëjta mbledhje shihet si një fazë paraprake për “shkarkimin e tensioneve” brenda strukturave lokale dhe qendrore të partisë, përpara se çështja të trajtohet në nivele më të larta vendimmarrëse. Qëllimi, sipas burimeve, është që fillimisht të dëgjohen qëndrimet e nivelit lokal dhe të krijohet një pasqyrë më e qartë e pakënaqësive të brendshme.

Pas këtij takimi, pritet që të mblidhet edhe Kryesia e LDK-së, ku do të diskutohen hapat e mëtejmë politikë. Në këtë fazë, në agjendë pritet të jetë procedimi institucional i situatës, si dhe caktimi i një date për Kuvendin e partisë, i cili shihet si vendimtar për të ardhmen e lidershipit.

Ndërkohë, ditëve të fundit janë shtuar zërat, si brenda ashtu edhe jashtë LDK-së, që kërkojnë dorëheqjen e Lumir Abdixhikut për shkak të humbjes së thellë në zgjedhje. Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se krahu i Abdixhikut ka mobilizuar figura të ndryshme partiake për të kundërshtuar dorëheqjen, duke argumentuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është kolektive dhe nuk duhet të personalizohet vetëm te kryetari.

Situata brenda LDK-së mbetet e tensionuar, ndërsa takimet e ditëve në vijim pritet të përcaktojnë jo vetëm fatin politik të Lumir Abdixhikut, por edhe drejtimin që do të marrë Lidhja Demokratike e Kosovës në periudhën e ardhshme

Lexo edhe:

Back to top button