
Përkundër faktit se rezultati i përgjithshëm mes partive politike nga zgjedhjet e 28 dhjetorit tashmë është i qartë, gara e brendshme mes kandidatëve për deputetë vazhdon të mbetet e hapur, raporton Spektatori.
Një situatë e tillë po zhvillohet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila nga këto zgjedhje ka siguruar 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Vëmendja kryesore është përqendruar te ulësja e fundit parlamentare e kësaj partie, për të cilën aktualisht po garojnë tre kandidatë.
Bëhet fjalë për Fadil Hadergjonaj, Ermal Sadiku dhe Arben Gashi. Edhe pse për momentin Arben Gashi renditet jashtë Kuvendit, ndërsa Sadiku dhe Hadergjonaj konsiderohen deputetë të zgjedhur, dallimi minimal në numrin e votave lë ende hapësirë për ndryshime në përbërjen përfundimtare të grupit parlamentar të LDK-së.
Sipas rezultateve aktuale, Fadil Hadergjonaj radhitet i 14-ti me 17.533 vota, Ermal Sadiku i 15-ti me 17.513 vota, ndërsa Arben Gashi i 16-ti, pra jashtë Kuvendit, me 17.154 vota. Diferenca e vogël mes kandidatëve e mban ende të hapur këtë garë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në një ndryshim të vetëm, por të rëndësishëm, brenda radhëve të LDK-së.
Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon numërimi i votave me postë. Deri më tani janë numëruar 85.52 për qind e këtyre votave, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sqarojnë definitivisht fatin e ulëses së fundit parlamentare të LDK-së, raporton Spektatori.



