
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me vërshime në territorin e Kosovës mbetet dinamike, si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit, raporton Spektatori.
Sipas AME-së, raste të lokalizuara të përmbytjeve janë evidentuar në disa komuna, ndërsa zona më e prekur aktualisht është Anadrinisa në Komunën e Prizrenit, ku uji i Drinit të Bardhë ka dalë mbi rrjedhën normale, duke përmbytur të dy anët e shtratit të lumit.
Policia ka bërë të ditur se rruga Gjonaj–Krajk është e bllokuar, pasi niveli i ujit ka arritur mbi 1.5 metra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e AME-së, raporton Spektatori.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në bashkëpunim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë, janë angazhuar në terren për pompimin e ujit, largimin e përmbytjeve, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike.
AME ka bërë të ditur se numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës. Deri më tani, nuk raportohet për humbje jete, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe janë duke u vlerësuar nga autoritetet lokale.
“Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, por rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm”, kanë theksuar nga AME.
Në fund, Agjencia ka apeluar te qytetarët që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112, raporton Spektatori.



