
Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh njëri nga drejtuesit e subjektit politik Guxo, Faton Peci, ka deklaruar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Spektatori.
I ftuar në një intervistë në Klan Kosova, Peci theksoi se kjo nuk përbën kërcënim politik, por është një konstatim kushtetues dhe ligjor i paraparë qartë me rregullat në fuqi.
“Ky nuk është kërcënim. Po konstatoj vetëm faktin kushtetues dhe ligjor. Nëse më 5 mars Kosova nuk ka president të votuar në Kuvend, vendi shkon me automatizëm në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Peci.
Megjithatë, ai shprehu bindjen se kriza do të tejkalohet dhe se skena politike do të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se dialogu dhe kompromisi janë të domosdoshme.
Peci tha se ka parë gatishmëri edhe nga përfaqësues të partive opozitare, përfshirë LDK-në dhe AAK-në, për të kontribuar që vendi të mos mbetet pa institucione funksionale.
“Politika pa bisedime nuk shkon. Duhet vullnet, negociata dhe kompromise për ta zgjedhur presidentin”, u shpreh ai, raporton Spektatori.
Sa i përket mundësisë që Vjosa Osmani të vazhdojë si presidente, Peci tha se vendimi final varet nga një takim mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Çështja përcaktohet në takimin Vjosa–Albini dhe gjithçka qartësohet”, përfundoi Peci.



