
Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit, Komuna e Fushë Kosovës po përballet me vështirësi në disa zona, raporton Spektatori.
Autoritetet komunale kanë njoftuar se situata është duke u monitoruar nga afër, ndërsa ekipet komunale janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë sipas nevojës. Sipas njoftimit zyrtar, në disa pjesë të komunës janë evidentuar probleme të ndryshme si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Izia Mjeku, ka dalë në terren për të parë nga afër gjendjen aktuale dhe për të koordinuar veprimet në rast se situata përkeqësohet. Nga Komuna kanë bërë të ditur se ekipet përkatëse janë të angazhuara për parandalimin dhe menaxhimin e çdo situate të mundshme që mund të paraqitet.
Duke iu referuar Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, autoritetet komunale paralajmërojnë se reshjet e shiut me intensitet të ndryshëm pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Kjo mund të shkaktojë vërshime lokale, vështirësi në komunikacion si dhe probleme në sistemet e kanalizimit.
Në fund, Komuna e Fushë Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo problem të mundshëm tek autoritetet përkatëse.



