
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) ka publikuar një artikull ku zbulon se shteti zviceran ka organizuar për vite me radhë takime joformale ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, raporton Spektatori.
Sipas NZZ-së, në këto takime kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, si dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq. Për këto bisedime joformale nuk ka pasur informacione publike për një kohë të gjatë, ndonëse vetë NZZ kishte raportuar që në vitin 2022 për takime të politikanëve në qytetin Solothurn të Zvicrës, ndërsa edhe gazeta “Blick” kishte shkruar për këtë çështje në nëntor të vitit 2025.
“Megjithatë, deri më tani nuk dihej publikisht në Zvicër se ministrat nga të dyja palët merrnin pjesë rregullisht. Sipas disa burimeve, midis tyre ishin zëvendëskryeministri kosovar Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Gjuriq”, shkruan NZZ.
Organizimin e këtyre takimeve e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës. Roland Salvisberg nga MPJ zvicerane ka bërë të ditur se takime të tilla zhvillohen dy deri në tre herë në vit.
“Dialogu që nga fillimi ka pasur për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve midis figurave kryesore nga të gjitha partitë kryesore serbe dhe kosovare”, ka deklaruar Salvisberg, i cili është kreu i seksionit përgjegjës në Divizionin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut të MPJ-së së Zvicrës.
Ai ka sqaruar se secila palë vendos në mënyrë të pavarur se kë do ta dërgojë në këto takime. Në këto bisedime joformale ka marrë pjesë edhe emisari për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Nga MPJ e Zvicrës kanë theksuar se këto takime konsiderohen si negociata plotësuese ndaj dialogut zyrtar që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.



