Kurti: Veteranët bënë historinë e çlirimit të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rastin e Ditës së Veteranit, duke theksuar se me veprën dhe luftën e tyre ata e kanë bërë historinë e çlirimit të Kosovës, raporton Spektatori.

Në një postim në Facebook, Kurti ka nderuar luftëtarët e lirisë, duke kujtuar edhe rezistencën e familjes Jashari në Prekaz, si një moment kyç të historisë së rezistencës së armatosur kundër forcave serbe.

“Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të lirisë, atyre që me armë në duar dhe me guxim në shpirt, vullnetin për çlirimin e Kosovës e jetësuan në realitet historik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka rikujtuar se Dita e Veteranëve shënohet më 30 dhjetor, pasi në këtë datë të vitit 1991 forcat policore serbe kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz, duke tentuar arrestimin e Adem Jasharit. Sipas Kurtit, ajo ditë shënoi një kapitull të rëndësishëm të rezistencës së armatosur, ku familja Jashari dhe banorë të shumtë të zonës iu kundërvunë forcave serbe.

Kurti ka përshkruar ngjarjet e asaj dite, bastisjet, arrestimet dhe përballjet e armatosura, duke theksuar se Rifati, Hamza dhe Adem Jashari arritën të çanin rrethimin policor dhe ta nxirrnin jashtë tij “projektin kombëtar për çlirimin e Kosovës”.

Ai ka rikujtuar edhe sulmin e dytë ndaj familjes Jashari më 22 janar 1998 dhe sakrificën sublime të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë pas një rezistence të paepur.

“Veteranët e luftës çlirimtare janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës”, ka përfunduar Kurti, duke uruar jetë të gjatë për veteranët e UÇK-së.

Lexo edhe:

Back to top button