
Los Angeles Clippers kanë shënuar një fitore bindëse ndaj Detroit Pistons me rezultatin 112:99, në një ndeshje ku Kawhi Leonard ishte absolutisht dominues, raporton Spektatori.
Ylli i Clippers realizoi pothuajse gjysmën e pikëve të ekipit vendas, duke e përfunduar takimin me plot 55 pikë, 11 kërcime dhe dy asistime. Me këtë paraqitje spektakolare, Leonard vendosi edhe një rekord personal në karrierë, ndërsa Clippers e zgjasin serinë e fitoreve në katër ndeshje radhazi.
Kontribut të rëndësishëm dha edhe James Harden, i cili shënoi 28 pikë, shtatë asistime dhe katër kërcime, ndërsa Nicolas Batum shtoi 12 pikë dhe katër ribaunde.
Në anën tjetër, te Detroit Pistons më i dalluari ishte Cade Cunningham me 27 pikë, nëntë asistime dhe pesë kërcime. Jalen Duren kontribuoi me 18 pikë, 14 kërcime dhe dy asistime, ndërsa Jaden Ivey e mbylli ndeshjen me 11 pikë, tre kërcime dhe tre asistime.
Ndërkohë, Luka Dončić shkëlqeu në fitoren e Los Angeles Lakers ndaj Sacramento Kings me rezultat 125:101, duke realizuar 34 pikë, shtatë asistime dhe pesë kërcime. LeBron James ishte po ashtu vendimtar me 24 pikë, pesë asistime dhe tre kërcime.
Në rezultatet e tjera të mbrëmjes në NBA, Golden State Warriors u mposhtën 141:127 në udhëtim ndaj Toronto Raptors pas kohës shtesë, ndërsa Oklahoma City Thunder triumfoi bindshëm në shtëpi ndaj Philadelphia 76ers me rezultat 129:104



