
Gjiganti i La Ligës, Barcelona, ka identifikuar një emër nga reparti ofensiv i Manchester Cityt të Pep Guardiolës si objektiv të mundshëm për sezonin e ardhshëm, raporton Spektatori.
Sipas raportimeve, në radarët e drejtuesve të klubit nga “Camp Nou” ka përfunduar braziliani Savinho, anësori i talentuar 21-vjeçar që është në pronësi të kampionëve të Anglisë.
Barcelona e ka përforcuar repartin ofensiv gjatë verës me huazimin e Marcus Rashford nga Manchester United, megjithatë drejtori sportiv Deco dhe drejtuesit e tjerë të klubit nuk janë ende plotësisht të bindur për ta bërë të përhershëm transferimin e sulmuesit anglez.
Për shkak të kufizimeve të vazhdueshme financiare në kryeqytetin katalunas, klubi ka hartuar një listë alternative për sezonin e ardhshëm, në rast se marrëveshja me Rashfordin nuk konkretizohet.
Sipas mediumit spanjoll “Fichajes”, emri që bie më shumë në sy në këtë listë është pikërisht Savinho. “Emri që i pëlqen më shumë FC Barcelonës është Savinho. Anësori 21-vjeçar është në pronësi të Manchester Cityt dhe përputhet plotësisht me profilin që klubi kërkon për nga mosha, karakteristikat dhe potenciali”, thuhet në raportim.
Në fazën fillestare, Barcelona shpreson të përfitojë nga mungesa e minutave të rregullta të brazilianit në Manchester City, për të realizuar një marrëveshje huazimi për shërbimet e tij.
Savinho shihet si një opsion afatgjatë për krahët e sulmit, ndërsa vendimi përfundimtar i klubit katalunas do të varet nga situata financiare dhe zhvillimet rreth së ardhmes së Marcus Rashfordit në muajt në vijim.



