Arrestohen 3 të dyshuar për vjedhje në Ferizaj

Gjatë muajit nëntor 2025, në qytetin e Ferizajt janë shënuar katër raste të ndara vjedhjeje në markete dhe zona të ndryshme, raporton Spektatori. Vjedhjet kanë ndodhur në rrugët “Brahi Ademi”, “Vëllezërit Gervalla”, “Rexhep Bislimi”, si dhe në fshatin Koshare, ku persona të dyshuar kanë vjedhur kryesisht artikuj ushqimorë, me vlerë të përgjithshme rreth 2 mijë euro.

Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj, pas një pune intensive hetimore në terren dhe analizimit të video-incizimeve, ka arritur të identifikojë dhe arrestojë kryesit e dyshuar të këtyre veprave penale.

Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar B.R. (61 vjeç), B.V. (44 vjeç) dhe K.R. (35 vjeç). Nga hetimet e deritanishme dyshohet se të njëjtit kanë përdorur një veturë Audi A3 me targa vendore dhe kanë vepruar në data të ndryshme gjatë muajit nëntor 2025 në territorin e Ferizajt.

Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se të dyshuarit mund të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjeje, për të cilat hetimet janë duke vazhduar, raporton Spektatori.

Pas intervistimit nga policët hetues dhe me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Lexo edhe:

Back to top button