
Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë ka pezulluar hetimet ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili dyshohej për kryerjen e veprës penale të “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, raporton Spektatori.
Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullimin e hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, për shkak të mungesës së dëshmive.
Spahiu ishte arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa po kthehej me autobus nga Austria në Kosovë së bashku me familjen e tij. Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendrën e ndalimit në Serbi.
Avokati i tij, Arianit Koci, ka konfirmuar se Spahiu është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë. “Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, pasi, siç kam theksuar që në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë dhe ai nuk ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjes”, ka deklaruar Koci.
Autoritetet serbe e kishin akuzuar Spahiun për përfshirje në ngjarjen e Banjskës, kur në shtator të vitit 2023 një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin kosovar Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu nuk ishte pjesëtar i saj në atë periudhë.
Ndërkohë, Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe në kohën e sulmit, ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Ai është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023 dhe është liruar me masë ndalese për udhëtim, ndërsa kryeprokurori ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzës në fund të vitit 2024.
Pothuajse një vit më pas, Zyra e Prokurorit në Serbi ende nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me arsyet e vonesës së procesit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet në Kosovë po zhvillojnë gjykimin për tre nga 45 të pandehurit në rastin e Banjskës dhe vazhdojnë të kërkojnë dorëzimin e Radoiçiqit për t’u gjykuar për sulmin, i cili nga Kosova është cilësuar si akt terrorist.



