
Një aksident komunikacioni ka ndodhur në mëngjesin e së hënës në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ku një zyrtar policor ka humbur jetën, raporton Spektatori.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se vdekja e viktimës është konfirmuar në vendin e ngjarjes, ndërsa dyshohet se ajo ka ndodhur para aksidentit të komunikacionit, si pasojë e një sulmi në zemër.
“Sot rreth orës 06:30, në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë.
Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet se ka ndodhur para aksidentit. Me rastin po merret Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit”, ka njoftuar Pllana.



